Gjatë muajve mars dhe qershor 2024, në kuadër të komponentit “PA4 – Mbështetja e Qëndrueshmërisë në Mikro-Ndërmarrjet Rome (PA4 – Supporting Sustainability in Roma Micro-Enterprises)”, u kryen trajnime dhe mentorime për zhvillimin e qëndrueshmërisë të mikro bizneseve rome në qytetet Tiranë, Fier dhe Berat. Qëllimi kryesor ishte të ndihmohej komuniteti i ndërmarrësve rom në këto zona për të kuptuar rëndësinë e qëndrueshmërisë mjedisore dhe aplikimin e praktikave të gjelbra në bizneset e tyre. Metodologjia e përdorur për përgatitjen e këtij raporti përfshiu një qasje të kombinuar të analizës, duke përdorur kërkime dokumentare mbi raporte ndërkombëtare, kombëtare dhe lokale, plane dhe strategji, si dhe një sondazh të detajuar me pyetësor që u administrua për 68 mikro-ndërmarrës romë, nëpërmjet të cilit u vlerësua niveli i njohurive të tyre mbi qëndrueshmërinë mjedisore, praktikat e biznesit, qëndrimet ndaj riciklimit, sfidat për t’u bërë eko-miqësorë dhe mbështetja e tyre për nismat mjedisore. Gjithashtu, u organizua një seancë mentorimi për 20 mikro-ndërmarrës, duke përfshirë tetë pjesëmarrës nga Tirana, gjashtë nga Berati dhe gjashtë nga Fieri, ku u diskutuan dhe u promovuan praktikat e qëndrueshme të biznesit. Në aktivitetin e sondazhit, qëllimi kryesor ishte të kuptohej se sa njohuri kishin pjesëmarrësit mbi konceptet e ekonomisë së gjelbër dhe qëndrueshmërinë mjedisore.

 

Rezultatet treguan se 82.35% e pjesëmarrësve kishin dëgjuar për këto koncepte, por kishin njohuri të kufizuara, ndërsa 17.65% nuk kishin asnjë informacion mbi këto tema, gjë që nënvizoi nevojën e madhe për trajnime të dedikuara. Në përgjithësi, gratë dhe të rinjtë u treguan disi më të vetëdijshëm për këto koncepte krahasuar me burrat, ndërsa punonjësit e sektorit të prodhimit dhe parukierët u shfaqën si grupet me më shumë njohuri. Duke u ndalur tek ndikimi i biznesit në mjedis, vetëm një pjesëmarrës ose 1.47% pranoi se biznesi i tij kishte një ndikim të rëndësishëm, ndërsa pjesa më e madhe, 67.65%, besonin se bizneset e tyre kishin një ndikim minimal ose asnjë ndikim në mjedis. Ky perceptim i gabuar vjen si pasojë e mungesës së njohurive mbi qëndrueshmërinë mjedisore dhe tregon nevojën për fushata ndërgjegjësuese. Një pjesë e konsiderueshme e të anketuarve, 51.47%, e shihnin riciklimin si një mundësi përfitimi, ndërsa 38.24% e konsideronin si një përfitim të kufizuar, dhe vetëm 10.29% nuk shihnin asnjë përfitim. Në terma të praktikave të riciklimit, 41.18% e pjesëmarrësve deklaruan se gjithmonë riciklojnë, 35.29% riciklojnë herë pas here dhe 23.53% nuk riciklojnë asnjëherë. Grupe të ndryshme profesionale, si shitësit e mallrave të dorës së dytë dhe mbledhësit e mbetjeve për riciklim, kishin një njohuri më të lartë mbi ndikimin e biznesit të tyre në mjedis, dhe për këtë arsye ishin më të përkushtuar ndaj praktikave të riciklimit. Sa i përket sfidave për t’u bërë biznes eko-miqësor, një pjesë dërrmuese prej 80.88% e të anketuarve përmendi mungesën e fondeve si pengesën kryesore, ndërsa 14.71% përmendi mungesën e njohurive teknike. Megjithë këto sfida, mbështetja për nismat ekonomike publike me qasje mjedisore ishte jashtëzakonisht e lartë me 94.12% të të anketuarve që shprehën mbështetje të fortë, gjë që tregon gatishmërinë për t’u angazhuar në përpjekjet për qëndrueshmëri, nëse ofrohet mbështetje e duhur. Për interesin në trajnimet mbi praktikat e biznesit eko-miqësor, 58.82% e të anketuarve shprehën interes të lartë dhe 32.35% interes të mesëm, me një entuziazëm të lartë nga gratë dhe të rinjtë. Këto rezultate nënvizojnë nevojën për një qasje gjithëpërfshirëse që kombinon mbështetje financiare, trajnime teknike dhe fushata ndërgjegjësuese për të krijuar një mjedis biznesi më të qëndrueshëm. Gjatë trajnimeve të mentorimit, u organizuan seanca për t’i prezantuar mikro-ndërmarrësit me parimet e ekonomisë së gjelbër dhe praktikat e biznesit të qëndrueshëm. Seancat përfshinin një udhëzues praktik mbi mënyrat për të zbatuar praktika të qëndrueshme, duke iu përshtatur nevojave dhe sfidave specifike të bizneseve të tyre. Pjesëmarrësit u pajisën me njohuri dhe mjete për të ulur ndikimin mjedisor të bizneseve të tyre dhe për të përmirësuar qëndrueshmërinë e tyre. Diskutimet përfshinë temat mbi ndikimin mjedisor, ku theksi u vu tek roli që mikro-ndërmarrësit mund të luajnë në reduktimin e ndikimit të tyre mjedisor përmes zgjedhjeve të ndërgjegjshme.

Ruajtja e burimeve u trajtua si temë kryesore, duke theksuar rëndësinë e kursimit të ujit, energjisë dhe lëndëve të para, me propozime për përmirësimin e efiçencës në aktivitetet e përditshme të biznesit. Përdorimi i materialeve të qëndrueshme ishte një tjetër aspekt i rëndësishëm i mbuluar gjatë seancave, duke i nxitur mikro-ndërmarrësit që të përdorin materiale ekologjike, jo-toksike dhe të biodegradueshme në punën e tyre. Pjesëmarrësit u prezantuan gjithashtu me konceptin e ekonomisë rrethore, duke diskutuar mënyrat për të mbajtur burimet në përdorim sa më gjatë të jetë e mundur dhe për të rigjeneruar produktet dhe materialet në fund të ciklit të tyre të shërbimit. Për profesionet e ndryshme u ofruan sugjerime konkrete për zbatimin e zgjidhjeve të gjelbra dhe praktikave të ekonomisë rrethore. Për shembull, fermerët u inkurajuan të adoptojnë metoda të bujqësisë organike, të reduktojnë përdorimin e plehrave kimikë dhe pesticideve, të praktikojnë rrotacionin e kulturave dhe të përdorin mbetjet organike si pleh natyral. Mbledhësit e mbetjeve për riciklim u këshilluan të sigurojnë ndarjen e duhur të mbetjeve dhe të bashkëpunojnë me autoritetet lokale për përmirësimin e infrastrukturës së menaxhimit të mbetjeve. Shitësit e mallrave të dorës së dytë u këshilluan të promovojnë përfitimet e blerjes së mallrave të përdorura dhe të ofrojnë shërbime riparimi. Parukierët dhe berberët u këshilluan të përdorin produkte ekologjike, të implementojnë teknika për kursimin e ujit dhe të riciklojnë mbetjet. Për riparuesit, u sugjerua të promovojnë riparimin e produkteve në vend të zëvendësimit të tyre dhe të ofrojnë seminare për të mësuar klientët si të riparojnë produktet e tyre. Artizanët e punimeve me dorë u këshilluan të përdorin materiale të qëndrueshme dhe jo-toksike. Këto seanca mentorimi jo vetëm që i pajisën mikro-ndërmarrësit romë me mjete praktike dhe strategji për qëndrueshmërinë, por gjithashtu forcuan ndjenjën e komunitetit dhe përgjegjësinë e përbashkët ndaj mjedisit.

Përgjithësisht, të dhënat dhe reagimet e pjesëmarrësve treguan për një përmirësim të njohurive mbi qëndrueshmërinë, ndërsa përpjekjet për ndërgjegjësim dhe mbështetje teknike janë çelësi për të kapërcyer pengesat në adoptimin e praktikave të qëndrueshme.

Similar Posts